ARSIM/Delegacioni shqiptar nga Detroiti viziton Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan

 Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan ka pritur sot një vizitë të veçantë nga një delegacion shqiptarësh me banim në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pjesë e këtij delegacioni ishin shqiptarë të lindur e të rritur në Amerikë, përfshirë edhe përfaqësues të gjeneratës së tretë, me prejardhje nga viset e ndryshme shqiptare.

​Delegacioni u prit ngrohtësisht nga drejtori i shkollës, Ilir Vokshi, së bashku me stafin mësimor dhe nxënësit e gjimnazit.

​Gjatë kësaj vizite, mysafirët nga SHBA-ja zhvilluan një bashkëbisedim të ngrohtë me nxënësit, ku ndanë përvojat e tyre mbi jetën në mërgim, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe rëndësinë e kultivimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza.

​Nxënësit patën mundësinë të dëgjojnë nga afër mbi sfidat dhe përkushtimin për ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen, si dhe për rëndësinë që ka njohja e historisë dhe traditës shqiptare për të rinjtë që jetojnë jashtë trojeve amtare.

​Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për shkëmbim përvojash, frymëzim reciprok dhe forcim të urave të bashkëpunimit mes shqiptarëve, pavarësisht distancës gjeografike.

​Drejtoria dhe stafi i Gjimnazit “Zenel Hajdini” shprehën falënderimet më të përzemërta për mysafirët nga Detroiti për kohën, vizitën dhe mesazhet e ngrohta që përcollën te nxënësit, duke e cilësuar praninë e tyre si një nder dhe kënaqësi të veçantë.

Shpërndaj me të tjerët