Kombëtarja e Kosovës U15 e ka nisur me sukses turneun zhvillimor të UEFA-s, i cili po zhvillohet në Bullgari, duke triumfuar ndaj Moldavisë me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë të këtij kompeticioni.
Dardanët e rinj kaluan të parët në epërsi në minutën e 14-të, kur Lionel Nikqi realizoi për 1:0. Kosova ruajti këtë epërsi gjatë gjithë pjesës së parë, mirëpo fare pranë fundit të saj, David Ciorici barazoi shifrat në 1:1.
Atëherë kur ndeshja po shkonte drejt barazimit, në skenë doli talenti i ri gjilanas dhe sulmuesi i FC Dritës, Real Jahiu.
Ai realizoi golin e artë të fitores në minutën e parë të kohës shtesë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:1 dhe duke i dhënë tri pikët e para përfaqësueses sonë.
Kjo fitore përbën një nisje mjaft pozitive për përzgjedhësin Ilir Nallbani dhe futbollistët e tij të rinj, të cilët në këtë turne po fitojnë përvojë të vlefshme në arenën ndërkombëtare.
Në ndeshjen tjetër të grupit, nikoqirja Bullgaria shënoi fitore të thellë ndaj Armenisë me rezultat 8:0.
Sfida e radhës për Kosovën U15 do të jetë më 17 tetor kundër Armenisë (ora 16:00), ndërsa turneun do ta përmbyllë më 20 tetor në përballjen direkte kundër Bullgarisë (ora 11:00). / dita24h /
