Gjatë muajit shtator u mbajt takimi inaugurues i Grupit Joformal të Grave në Komunën e Gjilanit, ku morën pjesë asambleistë të Kuvendit Komunal dhe drejtoresha komunitare.
Në këtë takim inaugurues, kryesuese e Grupit Joformal të Grave u zgjodh Albulena Hajdari, ndërsa në pozitën e zëvendëskryesueses u zgjodh Malikije Hoxha.
Me marrjen e kësaj detyre, kryesuesja Albulena Hajdari theksoi përkushtimin e saj për të ndërtuar një hapësirë të hapur bashkëpunimi ku gratë mund të shprehin idetë, shqetësimet dhe propozimet e tyre për çështje me interes publik.
Ndër synimet kryesore të grupit do të jetë zgjerimi i anëtarësisë përtej Kuvendit Komunal dhe administratës, duke përfshirë gra nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore, me qëllim që zëri dhe përvoja e tyre të bëhen pjesë e angazhimit të përbashkët.
Gjatë takimit u shpreh gjithashtu një falënderim i veçantë për përfaqësuesit e OSBE-së për avokimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë ofruar përgjatë procesit të formimit të këtij grupi.
Formimi i Grupit Joformal të Grave synon të kontribuojë drejtpërdrejt në avancimin e barazisë gjinore dhe në fuqizimin e rolit të grave në zhvillimin e komunitetit në Gjilan.
