Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se sot ka nisur shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në nivel vendi.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi i vaksinimit të qytetarëve do të fillojë menjëherë pas përfundimit të shpërndarjes së dozave nëpër QKMF dhe njësitë e tyre përbërëse.
Për detaje rreth orarit dhe fillimit të procesit, qytetarët mund të udhëzohen pranë institucionit më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre.
MSH dhe IKSHPK u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, me theks të veçantë për grupet e rrezikuara si personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike (të zemrës, mushkërive, diabetit, veshkave apo me sistem imunitar të dobsuar), gratë shtatzëna, fëmijët me sëmundje kronike apo me indikacion mjekësor, personat në institucione të kujdesit afatgjatë, si dhe profesionistët shëndetësorë.
Vaksinimi u rekomandohet gjithashtu edhe të gjithë qytetarëve të tjerë që shprehin dëshirën për t’u mbrojtur.
Autoritetet shëndetësore rikujtojnë se vaksinimi mbetet masa kryesore mbrojtëse për parandalimin e gripit sezonal, si dhe për uljen e rrezikut nga komplikimet e rënda dhe hospitalizimet.
