OPINION/Eksperimenti me klasën e 9-të apo cilësia në arsim?

Nga: Prof. Ma. Sc. Nevzat Nevzati

​Së fundmi po flitet sërish për strategjinë e arsimit dhe idenë për rikthimin e shkollimit nga klasa e 9-të në të 8-tën. Shtrohet pyetja thelbësore: A po zgjidhen problemet e arsimit me këtë lëvizje, apo thjesht po shtohen?

​Sistemi dhe kurrikula aktuale asnjëherë nuk janë shtyrë përpara siç duhet. Ato kanë mbetur pa mjete konkretizuese, pa monitorim të mirëfilltë, pa hospitime dhe pa mbështetjen e nevojshme nga inspektorati.

Zbatimi është lënë në ndërgjegjen e individëve, pa kontroll dhe pa bërë asnjëherë matje e analiza serioze mbi bazën e të cilave do të duhej të ndërhyhej për rritjen e cilësisë.

​Rikthimi nga shkolla nëntëvjeçare në atë tetëvjeçare do të shkaktonte një efekt zinxhir me pasoja të mëdha organizative dhe përmbajtësore.

Së pari, në aspektin organizativ, do të lihej një numër i madh i mësimdhënësve klasorë pa orë për shkak të zvogëlimit të gjeneratave nga pesë në katër, ndërsa do të rritej nevoja për arsimtarë lëndorë në shkollat e mesme.

Kjo do të shoqërohej me probleme serioze në hapësirat shkollore, kabinete dhe orare mësimore. Së dyti, në përmbajtje, kjo lëvizje do të kërkonte ndryshimin e plotë të kurrikulës, rishkrimin e të gjitha programmeve e teksteve shkollore, si dhe trajnime të reja për mësimdhënësit.

​A ia vlen të harxhojmë kohë, energji dhe mjete financiare në një eksperiment që mund të zgjasë me vite e dekada, për t’u kthyer përsëri në pikën e njëjtë? Apo është më mirë të mbështesim, të monitorojmë dhe të përmirësojmë sistemin që kemi?

​Në vend të ndryshimit të strukturës së klasave, reforma reale kërkon hapa konkretë në terren:

  1. ​Vendosja e “filtrave” të vlerësimit: Të zbatohet vlerësimi në fund të klasave 2, 5 dhe 7, në mënyrë që nxënësi të mos kalojë tutje pa i përvetësuar njohuritë bazë si leximi, shkrimi dhe matematika.
  2. ​Ndarja e objekteve sipas shkallëve: Klasat 1-2, 3-5 dhe 6-9 të funksionojnë në objekte të veçanta me mësimdhënës të profilizuar për secilin cikël.
  3. ​Inspektim real: Të ketë inspektorë lëndorë në çdo komunë për monitorim të vazhdueshëm, hospitime dhe këshillim profesional, e jo vetëm kontrolle formale.
  4. ​Rishikimi i programeve dhe teksteve: Të ndryshohen programet në Matematikë, TIK dhe shkencë duke përfshirë Inteligjencën Artificiale (AI). Për më tepër, tekstet duhet të përkthehen, përshtaten dhe digjitalizohen në formë interaktive.
  5. ​Dinjiteti dhe kushtet për mësimdhënësit: T’i kthehet autoriteti arsimtarit, të bëhet gradimi i lidhur me rritje pagash, si dhe të mundësohet pensionimi i parakohshëm për mësimdhënësit mbi 60 vjeç për t’i hapur rrugë kuadrit të ri.
  6. ​Vlerësimi i menaxhmentit dhe kujdestarisë: Të rriten pagat e drejtorëve të shkollave, të kompensohet financiarisht kujdestaria e klasës dhe të barazohet norma e lirimit nga orët për koordinatorët e cilësisë.
  7. ​Disiplina në shkolla: Të shtrëngohen masat administrative për sjelljet devijante dhe të rritet përgjegjësia e prindërve për mungesat e paarsyeshme të nxënësve.

​Në fund, pyetja është e thjeshtë: A po merremi me ndryshimin e numrit të klasave, apo me përmirësimin e cilësisë së arsimit? Reforma nuk bëhet vetëm në letër e me ndryshime strukturore.

Ajo kërkon buxhet, kuadër të përgatitur, tekste cilësore dhe llogaridhënie.

Para se të ndryshojmë sistemin, duhet të kuptojmë pse nuk po funksionon ai që kemi sot dhe ta përmirësojmë atë nga bazamenti.

/Autor i shkrimit është mësimdhënës me përvojë të gjatë dhe trajner i Kurrikulës së re të Kosovës si dhe disa programeve arsimore/

Shpërndaj me të tjerët