Historia e sportit në Gjilan është e mbushur me emra që lanë gjurmë të pashlyeshme në parketet e hendbollit kosovar, atëherë kur kjo lojë luhej me pasion të jashtëzakonshëm dhe në kushte mjaft të vështira.
Një nga këta emra është pa dyshim Rifat Pajaziti, pivot i njohur gjilanas, i cili për më shumë se dy dekada me radhë dha gjithçka nga vetja për këtë sport.
Hapat e parë: dashuria për lojën me dorë dhe fusha me beton
I lindur në vitin 1955 në Gjilan, ku përfundoi edhe shkollimin fillor e të mesëm, Rifati u rrit në një ambient familjar ku mbizotëronte futbolli. Mirëpo, fati i tij sportiv mori tjetër kahje në moshën 15-vjeçare.
”Duke parë se si luante legjenda e hendbollit gjilanas, Dërgut Avdullahu, me të cilin ishim në një lagje, afër me shtëpi u dashurova tepër shumë pas hendbollit,” kujton Pajaziti.
Pas vetëm një apo dy vitesh ushtrime intensive si i ri, talenti i tij u rekrutua nga ekipi i parë i asaj kohe, “Bozhur”.
Në atë periudhë, kushtet ishin larg atyre moderne: stërvitjet dhe ndeshjet zhvilloheshin në fushë të hapur me beton, te Kombinati i Duhanit.
Nën drejtimin e trajnerit Sabedin Sherifi, Pajaziti u vendos në pozitën e pivotmenit, ku shpejt u shqua për forcën dhe karakterin e tij në lojë.
Koha e artë: tifozë të zjarrtë dhe rivalitet me Ferizajin e Mitrovicën
Në kujtimet e Rifat Pajazitit, ajo periudhë mbetet e paharrueshme për nga rivaliteti dhe masiviteti i sportit. Hendbolli luhej fort, me burrëri dhe me një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku.
“Kur luanim si vendas, fusha mbushej plot. Kishim shumë tifozë që na përkrahnin pa rezervë. Së bashku me Borcin e Ferizajit dhe Trepçën e Mitrovicës, ishim skuadrat më të mira kosovare të asaj kohe,” tregon ai.
Përgjatë karrierës tij të gjatë mbi 20-vjeçare, ai ka ndërruar dhjetëra trajnerë, por pasioni për ngjyrat e qytetit të tij nuk u zbeh kurrë.
Plaga e hapur: tragjedia e Muharrem Gashit dhe numri 6
Përveç ndeshjeve madhështore dhe fitoreve, karriera e Pajazitit markohet edhe nga një ngjarje me të vërtetë tragjike, e cila i rri ende e freskët në kujtesë. Është fjala për humbjen e papritur të bashkëlojtarit të tij, të ndjerit Muharrem Gashi.
Pajaziti kujton se ekipi ndodhej në përgatitje në Mal të Zi dhe po zhvillonte një ndeshje kontrolluese kundër një skuadre vendase. Gjilanasit po fitonin me rezultat, ndërsa Muharrem Gashi, i cilësuar si fenomen i lojës për nga finesat e tij të mahnitshm dhe efikas, po shkonte në një aksion sulmues.
“Në një moment, Muharremi u rrëzua në fushë. Vrapuan të gjithë, përfshirë edhe ekipin mjekësor të skuadrës rivale, dhe me ngut e dërguan në emergjencë. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë… Kjo ngjarje nuk më hiqet kurrë nga koka,” rrëfen i prekur Pajaziti
Në shenjë respekti të thellë dhe nderimi të përhershëm për figurën e Muharrem Gashit, KH Drita më vonë tërhoqi përgjithmonë nga përdorimi fanellën me numrin 6.
Nostalgjia dhe dhimbja për hendbollin e sotëm gjilanas
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Rifat Pajaziti u mor për një kohë edhe me zejen e trajnerit, duke u përpjekur t’u përcillte përvojën e tij gjeneratave të reja.
Sot, si një legjendë e gjallë e kësaj gjenerate të artë që shkroi historinë, Rifatit i dhemb fakti se sot hendbolli në Gjilan pothuajse nuk funksionon fare apo ka mbetur në hije.
“Gjilani gjithmonë ka pasur hendbollistë të shkëlqyer e të spikatur. Më dhemb shpirti kur shoh se sot ky sport në qytetin tonë nuk e ka vëmendjen dhe nivelin që meriton,” përfundon ai me keqardhje./dita24h /
