VËSHTRIM/Kur libri bëhet strehë e shpirtit dhe fener i shpresës

 

Vështrim mbi librin “Të besosh në mrekulli” të Someja Mujit

Shkruan: Bukurie Aliu – Sylejmani

Në vorbullën e modernitetit, ku digjitalizimi po përshpejton ekzistencën, të zhytur në një realitet virtual (duke na lidhur me botën), autorja e re, Someja Muji, ka zgjedhur të na afrojë me botën e librit dhe me universin e saj letrar.

Se ky libër është për të gjithë. Se çdo tekst është frymë, një fener i vogël që ndriçon rrugën, kur të duket se gjithçka është në errësirë.

Po aty, në parathënie ndalet autorja, duke na treguar se forca jonë, koha jonë, guximi dhe ëndrrat tona marrin jetë përmes fjalës, dialogut të brendshëm, që janë ftesë për të depërtuar përtej sipërfaqes së jetës, aty ku gabimet bëhen mësime, sprovat shndërrohen në forcë, e falja çlirim dhe shpresa dritë që nuk shuhet.

Në këtë mozaik mendimesh zënë vend edhe dashuria, mirënjohja, reflektimi, motivi, disiplina, paqja shpirtërore, e këmbëngulja.

Por madhështinë e figurës së nënës, universi krijues i autores, e lë si një ëmbëlsirë në fund të librit, pasi nënën e shndërron në një prani të përhershme, në një strehë të shpirtit dhe në një kujtesë të gjallë, që na mundëson të besojmë në mrekullitë e rrënjëve tona njerëzore. ​

Ashtu si Paulo Coelho që na fton t’i ndjekim ëndrrat e si Khalil Gibran të depërtojmë në thellësitë e qenies njerëzore, ashtu edhe Someja Muji (nxënësja jonë) na kujton se mrekullitë ndodhin vetëm atëherë kur bëhemi arkitektë të së ardhmes sonë, që është edhe zëri i brendshëm, dhe dëshira për të lënë gjurmë përtej të përkohshmes, në botën njerëzore, nëpërmes fjalës së shkruar.

Shpërndaj me të tjerët