KULTURË/Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” promovon librin e nxënëses Someja Muji

Në ambientet e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” është promovuar libri i autores së re 15-vjeçare, Someja Muji, me titull “Të besosh në mrekulli”.

​Promovimi i kësaj vepre të parë artistike, i organizuar në vigjilje të 25 Tetorit — Ditës së Gjimnazit, bëri bashkë bashkëmoshatarë, profesorë, prindër dhe dashamirës të fjalës së shkruar. Someja Muji është nxënëse e klasës së dhjetë në këtë shkollë.

​Ngjarja kulturore u moderua nga profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Tahir Arifi, i cili vlerësoi lart anën artistike të librit të shkruar në formë esesh, si dhe guximin e krijueses së re, duke e inkurajuar atë për të vazhduar rrugëtimin letrar.

​Me një vështrim kritik për librin u paraqit edhe profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Bukurije Aliu – Sylejmani.

Ajo e cilësoi Somejën si një nxënëse shembullore dhe krijuese premtuese, duke veçuar gjuhën e pastër letrare dhe mbarështrimin e strukturuar të tekstit.

​Përvojën dhe mbështetjen ndaj autores e ndau edhe Zahide Arifi, psikologe në Shkollën e Mesme të Ultë “Ibrahim Uruqi” në Bresalc.

Ajo theksoi se shkolla e saj fillore humbi një nxënëse të shkëlqyer, por gjimnazi dhe qyteti i Gjilanit fituan një krijuese të re me të ardhme të ndritur, e cila meriton mbështetje institucionale e shoqërore.

​Në emër të drejtorisë së shkollës, zëvendësdrejtori Dr. sc. Agim Asllani bëri të ditur se ky organizim u realizua me mbështetjen e Zyrës për Këshillim në Karrierë, drejtorisë dhe mësimdhënësve.

Ai nënvizoi se ky libër vjen si një dhuratë e veçantë për ditëlindjen e gjimnazit dhe e përgëzoi autoren për të arriturën.

​Gjatë promovimit, nxënësja Alejna Baftijari deklamoi fragmentin “Synimet tuaja janë fati yt”, nxënësja Liberta Aliu lexoi pjesë nga teksti “Motivohu”, ndërsa profesori Tahir Arifi shkoqiti gjithashtu fragmente të zgjedhura nga libri.

​Në fund, autorja e re Someja Muji falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan dhe e përkrahën në jetësimin e këtij botimi, duke u zotuar se kjo është vetëm nisja e rrugëtimit të saj dhe se së shpejti do të sjellë krijime të reja.

Shpërndaj me të tjerët