SPORT/Gjilani barazon me Llapin në shtëpi, i ikën fitorja nga duart në minutat e fundit

Në kuadër të javës së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll, Gjilani ka barazuar me rezultat 1:1 kundër Llapit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ndihmës në Gjilan.

​Pjesa e parë u karakterizua me lojë më të mirë të kuqebardhëve, të cilët krijuan disa raste të mira shënimi, por pa arritur t’i konkretizonin para portës kundërshtare, duke bërë që skuadrat të shkojnë në pushim me rrjeta të paprekura (0:0).

​Mëria e vendësve u shpërblye në minutën e 70-të, kur mbrojtësi Ardian Limani realizoi një gol mjaft të bukur me volej, duke kaluar Gjilanin në epërsi 1:0 dhe njëkohësisht duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e gjilanasve.

​Mirëpo, atëherë kur pritej përmbyllja e ndeshjes me fitore të vendësve, në minutën e 87-të, Arbnor Aliu shfrytëzoi një pakujdesi në mbrojtjen gjilanase dhe nga afërsia barazoi shifrat në 1:1.

​Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi për Gjilanin si skuadër vendëse nën drejtimin e trajnerit Zekirija Ramadani, teksa të parën e patën fituar javën e kaluar kundër Feronikelit. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët