Skuadra e Dritës në konkurrencën e femrave ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në elitën e volejbollit kosovar, duke triumfuar si mysafire përballë Gjinocit me rezultat të pastër 3:0 në settë. Ndeshja i takoi xhiros së pestë të Superligës A.
Volejbollistet nga Gjilani e nisën takimin me dominim absolut, duke e fituar setin e parë me shifrat bindëse 25:11.
Në setin e dytë, vendasit ofruan rezistencë më të fortë dhe loja u zhvillua më e barabartë, mirëpo Drita tregoi përqendrim në momentet vendimtare për ta mbyllur atë në favor të saj, 25:23.
Në setin e tretë e të fundit, gjilanaset rikthyen kontrollin e plotë mbi parket, duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit dhe duke e mbyllur setin me shifrat e thella 25:8.
Me këtë sukses, Drita vazhdon e pamposhtur këtë edicion garues, duke konfirmuar edhe një herë formën e lartë dhe synimet e qarta për të qëndruar në krye të tabelës.
