RRËFIMI HISTORIE/Rifat Pajaziti, legjenda e hendbollit gjilanas që nuk e harron tragjedinë e Muharrem Gashit

Historia e sportit në Gjilan është e mbushur me emra që lanë gjurmë të pashlyeshme në parketet e hendbollit kosovar, atëherë kur kjo lojë luhej me pasion të jashtëzakonshëm dhe në kushte mjaft të vështira.

Një nga këta emra është pa dyshim Rifat Pajaziti, pivot i njohur gjilanas, i cili për më shumë se dy dekada me radhë dha gjithçka nga vetja për këtë sport.

​Hapat e parë: dashuria për lojën me dorë dhe fusha me beton

​I lindur në vitin 1955 në Gjilan, ku përfundoi edhe shkollimin fillor e të mesëm, Rifati u rrit në një ambient familjar ku mbizotëronte futbolli. Mirëpo, fati i tij sportiv mori tjetër kahje në moshën 15-vjeçare.

​”Duke parë se si luante legjenda e hendbollit gjilanas, Dërgut Avdullahu, me të cilin ishim në një lagje, afër  me shtëpi  u dashurova tepër shumë pas hendbollit,” kujton Pajaziti.

Pas vetëm një apo dy vitesh ushtrime intensive si i ri, talenti i tij u rekrutua nga ekipi i parë i asaj kohe, “Bozhur”.

Në atë periudhë, kushtet ishin larg atyre moderne: stërvitjet dhe ndeshjet zhvilloheshin në fushë të hapur me beton, te Kombinati i Duhanit.

Nën drejtimin e trajnerit Sabedin Sherifi, Pajaziti u vendos në pozitën e pivotmenit, ku shpejt u shqua për forcën dhe karakterin e tij në lojë.

​Koha e artë: tifozë të zjarrtë dhe rivalitet me Ferizajin e Mitrovicën

​Në kujtimet e Rifat Pajazitit, ajo periudhë mbetet e paharrueshme për nga rivaliteti dhe masiviteti i sportit. Hendbolli luhej fort, me burrëri dhe me një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku.

​“Kur luanim si vendas, fusha mbushej plot. Kishim shumë tifozë që na përkrahnin pa rezervë. Së bashku me Borcin e Ferizajit dhe Trepçën e Mitrovicës, ishim skuadrat më të mira kosovare të asaj kohe,” tregon ai.

Përgjatë karrierës tij të gjatë mbi 20-vjeçare, ai ka ndërruar dhjetëra trajnerë, por pasioni për ngjyrat e qytetit të tij nuk u zbeh kurrë.

​Plaga e hapur: tragjedia e Muharrem Gashit dhe numri 6

​Përveç ndeshjeve madhështore dhe fitoreve, karriera e Pajazitit markohet edhe nga një ngjarje me të vërtetë tragjike, e cila i rri ende e freskët në kujtesë. Është fjala për humbjen e papritur të bashkëlojtarit të tij, të ndjerit Muharrem Gashi.

​Pajaziti kujton se ekipi ndodhej në përgatitje në Mal të Zi dhe po zhvillonte një ndeshje kontrolluese kundër një skuadre vendase. Gjilanasit po fitonin me rezultat, ndërsa Muharrem Gashi, i cilësuar si fenomen i lojës për nga finesat e tij të mahnitshm dhe efikas,  po shkonte në një aksion sulmues.

​“Në një moment, Muharremi u rrëzua në fushë. Vrapuan të gjithë, përfshirë edhe ekipin mjekësor të skuadrës rivale, dhe me ngut e dërguan në emergjencë. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë… Kjo ngjarje nuk më hiqet kurrë nga koka,” rrëfen i prekur Pajaziti

Në shenjë respekti të thellë dhe nderimi të përhershëm për figurën e Muharrem Gashit, KH Drita më vonë tërhoqi përgjithmonë nga përdorimi fanellën me numrin 6.

​Nostalgjia dhe dhimbja për hendbollin e sotëm gjilanas

​Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Rifat Pajaziti u mor për një kohë edhe me zejen e trajnerit, duke u përpjekur t’u përcillte përvojën e tij gjeneratave të reja.

​Sot, si një legjendë e gjallë e kësaj gjenerate të artë që shkroi historinë, Rifatit i dhemb fakti se sot hendbolli në Gjilan pothuajse nuk funksionon fare apo ka mbetur në hije.

​“Gjilani gjithmonë ka pasur hendbollistë të shkëlqyer e të spikatur. Më dhemb shpirti kur shoh se sot ky sport në qytetin tonë nuk e ka vëmendjen dhe nivelin që meriton,” përfundon ai me keqardhje./dita24h /

 

Shpërndaj me të tjerët