LOKALE/​Nderohet pas vdekjes veprimtari Muharrem Aliu nga Kuvendi i Gjilanit

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në një seancë solemne të udhëhequr nga kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku, ka nderuar sot veprimtarin e çështjes kombëtare Muharrem Aliu me titullin “Qytetar Nderi” (Post Mortem).

Nderimi u bë me iniciativë të kryetarit Alban Hyseni, me rekomandim të Komisionit për dhënien e titujve të nderit dhe me mbështetjen e plotë të subjekteve politike në Kuvend.

​Titulli iu nda me motivacionin:

​“Për kontributin e jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare, qëndresën e palëkundur patriotike dhe sakrificën për lirinë e shqiptarëve, si dhe për angazhimin e tij në zhvillimin e Pogragjës dhe të trevës së Gjilanit.”

Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, e vlerësoi Muharrem Aliun si një atdhetar që e vuri çështjen kombëtare mbi interesin personal në periudhat më të vështira për popullin shqiptar. Ajo nëvizoi guximin dhe sakrificën e tij, si dhe angazhimin në luftërat e udhëhequra nga Mulla Idriz Gjilani e më vonë në veprimtarinë nacional-demokrate shqiptare.

​Në emër të kryetarit Hyseni, nënkryetari Arianit Sadiku e cilësoi atë si një kolos të historisë:

​“Kur flasim për Muharrem Aliun, flasim për një epokë të tërë të historisë sonë. Ai ishte njeriu i cili tërë jetën ia kushtoi idealit për liri dhe bashkimit kombëtar,” tha Sadiku, duke rikujtuar rreshtimin e tij krah Mulla Idriz Gjilanit në frontin e Bujanocit dhe Preshevës.

Gjithashtu, në emër të Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, asambleisti Fitim Guda lartësoi figurën dhe kontributin e veprimtarit.

​Në emër të familjes Aliu, Agron Aliu shprehu falënderimet e thella për këtë nderim, duke theksuar se ky titull përben një përgjegjësi të madhe morale për familjen dhe për brezat që vijnë.

​Seanca solemne mblodhi personalitete të shumta, mes të cilëve deputetja Arijeta Rexhepi, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe FSK-së, kryetari i KBI-së në Gjilan Naim Aliu, ish-kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi, si dhe familjarë të dëshmorëve e të veprimtarit Muharrem Aliu.

Shpërndaj me të tjerët