Qytetari aktiv nga Gjilani, Selatin Mehmeti, ka dalë me një propozim mjaft atraktiv dhe me vlerë praktike për komunitetin.
Përmes një reagimi, ai ka shtruar idenë që hapësira mbi “tunel” te hyrja e Gjilanit të mbulohet dhe të shndërrohet në një hapësirë të gjelbër e me park për banorët e lagjes, duke ndikuar kështu si në rritjen e sigurisë, ashtu edhe në përmirësimin e pamjes estetike të qytetit.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë:
„A thu, pse nuk i bie ndërmend dikujt kompetent me e mbulue këtë “tunel” dhe me e kthy në një hapësirë të bukur, qoftë edhe për hir të pamjes, sepse është hyrje e qytetit të Gjilanit?
Po e përmendi edhe një arsye tjetër, atë të sigurisë. Jam dëshmitar i një ngjarjeje që ka ndodhë në vitin 1979, kur isha fëmijë edhe unë. Prej lart i kishte ra një fëmijë me biçikletë para veturës sonë dhe e patëm dërgue në spital. Ishte një ngjarje shumë e trishtë, të cilën e kujtoj edhe sot.
Pse mos me e mbulue këtë tunel dhe me krijue një hapësirë të vogël gjelbëruese, një mini-park për banorët e lagjes, me disa ulëse për të moshuarit dhe ndonjë lodër për fëmijët? Do të ishte një vend ku njerëzit mund të pushojnë, fëmijët të luajnë dhe lagjja të fitojë një hapësirë të re.
Arsyet për këtë projekt janë të shumta: siguria, pamja e hyrjes së qytetit dhe, mbi të gjitha, krijimi i një hapësire të dobishme për banorët. Natyrisht, duhet parë ana teknike dhe kostoja, por ndoshta nuk është një investim aq i madh sa të mos ia vlejë të shqyrtohet.
Hajde, pse mos ta shtyjmë përpara këtë mini-projekt? Ndoshta prej një ideje të vogël mund të lindë diçka e bukur për qytetin tonë.
Apo unë po filozofoj tepër e po ju shkoj në nerva?
Hajde ta diskutojmë, ndoshta dikush që ka mundësi me ndiku e merr këtë ide seriozisht!“
