ARSIM/U pensionua pas 37 vitesh në arsim prof. Fadil Shabani, drejtori shembullor i Dobërçanit

Ka njerëz që nuk e matin jetën vetëm me vitet që kalojnë, por me gjurmët që lënë në zemrat e njerëzve dhe në rrugëtimin e brezave të tërë. Drejtori i shkollës “Nazim Hikmet” në Dobërçan, prof. Fadil Shabani, është njëri prej tyre.

​Sot, më 28 tetor 2026, në ditën kur mbush 65 vjet, ai përmbyll edhe një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij profesionale, duke u pensionuar pas 37 vitesh përkushtim në arsim, prej të cilave mbi 14 vjet në drejtimin e SHFMU “Nazim Hikmet”.

​I lindur më 28 tetor 1961 në Dobërçan, prof. Fadil Shabani e ndërtoi rrugën e tij profesionale mbi dijen, përgjegjësinë dhe dashurinë për arsimin.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në drejtimin e Kimisë, në vitin 1989 nisi punën si mësimdhënës në shkollën “Nazim Hikmet”.

Për shumë vite, ai ndau me nxënësit jo vetëm njohuritë e lëndës, por edhe vlerat e punës, këmbënguljes dhe besimit te mundësitë e secilit.

Në kohë të vështira, përfshirë vitet e okupimit dhe periudhën pas luftës, ai qëndroi i palëkundur pranë shkollës dhe misionit të saj, duke kontribuar që drita e dijes të mos shuhej kurrë.

​Në mars të vitit 2012, prof. Fadil Shabani mori përgjegjësinë e drejtimit të këtij institucioni arsimor. Që nga ajo ditë, puna e tij u përqendrua në krijimin e kushteve sa më të mira për mësimdhënie e mësimnxënie, në zhvillimin e shkollës dhe në hapjen e dyerve drejt partneriteteve të reja.

​Lista e punëve dhe projekteve të realizuara është shumë e gjatë. Gjatë udhëheqjes së tij u përmirësua infrastruktura e shkollës, u pajisën kabinetet e Kimisë dhe Informatikës, klasat u pasuruan me videoprojektorë e tabela të mençura, u zhvillua biblioteka dhe u gjelbëruan hapësirat e jashtme.

Përmes bashkëpunimit me institucione, organizata dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë, u krijuan mundësi të reja për nxënësit dhe mësimdhënësit.

​Nën udhëheqjen dhe mbështetjen e tij, nxënësit e shkollës shënuan rezultate në gara të diturisë në nivel komunal dhe shtetëror, veçanërisht në kimi, matematikë, teknologji informative, robotikë dhe sport. P

lani Zhvillimor i Shkollës u vlerësua nga GIZ ndër dhjetë planet më të mira në Komunën e Gjilanit, ndërsa në vitin 2019 prof. Fadil Shabani u nderua me mirënjohje si drejtori më i mirë në shkollat e komunës së Gjilanit.

​Megjithatë, vlera e tij nuk matet vetëm me projektet e realizuara, pajisjet e siguruara apo vlerësimet e fituara.

Ajo matet edhe me besimin që ka krijuar, me mbështetjen që u ka dhënë të tjerëve dhe me gjurmët e kujtimet që ka lënë pas.

Prandaj, gjithmonë do të kujtohet për qasjen e tij njerëzore, urtësinë, gatishmërinë për bashkëpunim dhe respektin ndaj kolegëve, nxënësve, prindërve e komunitetit.

​Mbi 14 vjet në drejtimin e shkollës “Nazim Hikmet” kanë lënë gjurmë të dukshme në zhvillimin e këtij institucioni, por edhe gjurmë njerëzore që nuk maten me shifra e që nuk do të fshihen me kalimin e kohës.

​Në emër të kolektivit dhe nxënësve të SHFMU “Nazim Hikmet”, Dobërçan, i shprehen drejtorit Fadil Shabani falënderimet dhe mirënjohja më e thellë për gjithçka që ka dhënë me ndershmëri dhe përkushtim gjatë gjithë këtyre viteve./ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët