Gjilanasi dhe njohësi i rrethanave ekonomike e politike në Turqi, Albert Selishta, po merr pjesë në një takim me përfaqësues të shoqatave biznesore në Bursa të Turqisë, me ftesë të Vehbi Varlık.
Në këtë takim javor, ku i ftuar ishte edhe kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Bursës, Erol Dağlıoğlu, u trajtuan sfidat e bizneseve në provincën e Bursës dhe mundësitë që ofron tregu i brendshëm.
Përmes një njoftimi, Selishta ka bërë të ditur se gjatë bashkëbisedimit ka prezantuar potencialin e Kosovës, e veçanërisht të rajonit të Anamoravës, për të tërhequr investime të reja.
Ai ka theksuar se kufizimet e Bashkimit Evropian ndaj disa bizneseve prodhuese nga Turqia mund të kthehen në një mundësi konkrete për vendin tonë.
„Përmes politikave të përshtatshme dhe krijimit të kushteve të favorshme për investitorët, vendi ynë, e veçanërisht Anamorava, mund të ofrojë alternativa tërheqëse për investime dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese“, ka bërë të ditur Selishta.
Sipas tij, Kosova duhet t’i shndërrojë sfidat e tregjeve ndërkombëtare në mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Turqinë.
Me këtë rast, Selishta u ka uruar të pranishmëve edhe 29 Tetorin, Festën e Republikës së Turqisë./dita24h/
