Policia e Kosovës ka ndërmarrë ndryshime në strukturat e saj drejtuese. Kolonel Luan Keka është emëruar zyrtarisht në krye të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, duke lënë pas pozitën e Drejtorit të Drejtorisë Kundër Terrorizmit.
Keka, i cili spikat për një karrierë të gjatë dhe profile të larta udhëheqëse brenda institucionit të sigurisë, bart me vete një përgatitje të avancuar profesionale dhe akademike, të ndërtuar ndër vite përmes programeve më prestigjoze vendore dhe ndërkombëtare.
Ai është diplomuar në Akademinë Nacionale të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka përfunduar edhe studimet master në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në SHBA, ku mori titullin Master of Arts in Strategic Security Studies.
Formimi i tij akademik dhe operativ plotësohet gjithashtu nga ndjekja e Programit të Avancuar për Studime të Sigurisë në Qendrën “George C. Marshall”, programit për Kundërterrorizëm në Qendrën Azi-Paqësor, si dhe trajnimeve të shumta të specializuara në fushën e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare e rajonale.
Me këtë emërim, drejtorisë rajonale të kësaj zone i besohet një udhëheqje me integritet dhe ekspertizë të dëshmuar strategjike, e cila synon forcimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike për qytetarët e rajonit të Gjilanit.
