Sqarim për opinionin publik lidhur me shërbimin ambulantor në Kishnapolë
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kasriu, reagon pas deklaratës publike të PDK-së lidhur me funksionimin e ambulancës në Kishnapolë, me qëllim sqarimin e opinionit publik dhe eliminimin e keqkuptimeve të krijuara.
Fillimisht, sqarojmë se nuk bëhet fjalë për vendim për mbylljen e ambulancës, por për një ndërprerje të përkohshme të shërbimit deri në rekrutimin e stafit të ri. Drejtoria është në përgatitje të konkursit për personelin e ri, i cili pritet të shpallet brenda pak ditësh.
Gjatë kësaj periudhe kalimtare, përmes njoftimit zyrtar janë publikuar numrat kontaktues të shërbimit të patronazhit dhe të urgjencës, në mënyrë që banorët të vazhdojnë të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore. Pretendimet se në Kishnapolë nuk ofrohet asnjë shërbim shëndetësor nuk qëndrojnë.
Ky organizim i përkohshëm mbështetet në rekomandimin e Komitetit për Cilësi në kuadër të QKMF-së dhe në analizën e raporteve gjashtëmujore, nga ku është konstatuar një numër mjaft i ulët i shërbimeve të kërkuara në këtë pikë. Për këtë arsye, me qëllim të menaxhimit më efikas të burimeve njerëzore, është vlerësuar e arsyeshme që personeli të angazhohet përkohësisht në QKMF, veçanërisht në këtë periudhë në prag të sezonit të gripit, kur kërkesa për kujdes shëndetësor është më e lartë.
DSHMS dhe QKMF mbeten të përkushtuara për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të qasshme për të gjithë qytetarët, duke rikonfirmuar se masat e marra janë vetëm një riorganizim i përkohshëm dhe jo mbyllje e ambulancës.
Faleminderit për mirëkuptimin!
