ARSIM/Nga Tuxheci i Kamenicës në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Akademik Fejzullah Krasniqi, i lindur në vitin 1953 në Tuxhec (Tygjec) të Kamenicës, është zgjedhur sot kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), duke marrë 19 nga 29 votat e Kuvendit të Akademisë.

​Rrugëtimi i tij nga vendlindja në Kamenicë deri në majën më të lartë shkencore të vendit nisi pas studimeve në Universitetin e Prishtinës (1977), magjistraturës në Shkup (1983) dhe doktoratës në Prishtinë (1988).

Ai ndërtoi një karrierë të gjatë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, ku mori thirrjen profesor ordinar në vitin 1999, duke ligjëruar gjithashtu edhe në Tiranë e Tetovë.

​Si autor i 105 punimeve shkencore, 8 teksteve universitare dhe 6 monografive në fushën e termodinamikës dhe energjetikës, vepra e tij Proceset dhe ciklet termodinamike u shpall studimi më i mirë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik në Tiranë në vitin 2024.

Paralelisht me punën shkencore, Krasniqi ka mbajtur pozita të larta drejtuese, duke shërbyer dy herë si dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, kryesues i Senatit të UP-së dhe drejtues i Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

​Anëtar i rregullt i ASHAK-ut që nga viti 2012 dhe nënkryetar i saj që nga dhjetori i vitit 2025, ai është gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Për kontributin e tij të shquar është nderuar me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Politeknik i Tiranës, si dhe me titullin “Qytetar Nderi” nga vendlindja e tij, Komuna e Kamenicës, në vitin 2025.

​Zgjedhja e tij në krye të ASHAK-ut kurorëzon dekada përkushtimi ndaj shkencës, arsimit të lartë dhe zhvillimit institucional të Kosovës. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët