Shengyl Imami, personalitet i njohur i Gjilanit që ka kontribuar shumë në fushën e sportit, kulturës, asrimit dhe tregtisë, ka shënuar gjysmëshekullin e hapjes së Shtëpisë së Mallrave përmes një kujtimi të ndjeshëm kushtuar nënës së tij.
Më 16 nëntor 1976, në Gjilan filloi punën Shtëpia e Mallrave, një objekt tregtar gjigant i kohës, ku Imami pati fatin të pranohej si punëtor që nga dita e parë.
Ishte një ditë që duhej të shënonte fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tij, por fati kishte përgatitur diçka krejt tjetër.
Ai nuk arriti ta niste punën ditën e parë, sepse mori lajmin se njerka e tij, e cila po kurohej në Spitalin Ushtarak në Beograd, ishte rënduar shumë.
U nisën për ta sjellë në shtëpi, por mëngjesin e 18 nëntorit 1976, ajo ndërroi jetë. Ajo humbje mbeti një nga goditjet më të rënda të jetës sime, kujton ai.
E kishte dashur pa masë atë grua, sepse ajo e kishte rritur si jetim, duke i dhënë dashuri, kujdes dhe ngrohtësi në çdo hap.
Për 17 vite me radhë ajo ishte kujdesur për të, duke e bërë të ndihej sikur ishte fëmija i saj biologjik, aq sa ai u largua nga kjo botë pa e ditur kurrë se nuk ishte nëna e tij biologjike.
Sot, kur e kujton atë kohë, zemra i mbushet me mall. Kisha një dëshirë të madhe: ta merrja rrogën e parë dhe t’ia dorëzoja asaj, si shenjë mirënjohjeje për gjithçka që kishte bërë për mua, t’ia shihja buzëqeshjen dhe t’i thoja se kjo është për mundin dhe dashurinë e dhënë. Por rroga e parë mbeti pa u dorëzuar në duart e saj, ndërsa fjalët e mirënjohjes mbetën në zemër.
Në këtë përvjetor, Imami përcjell mesazhin se nënë nuk është vetëm ajo që të lind, por ajo që të rrit, të do, të mbron dhe të fal një jetë të tërë dashuri.
Kontributi i Shengyl Imamit në këtë gjigant tregtar shtrihet ndër dekada. Përveç se ishte punëtor që nga fillimi, ai në 10 vitet e fundit të karrierës së tij atje ka shërbyer si shef i Vetëshërbimit Ushqimor. /dita24h/
