GJILAN – Ndërmarrja Publike Lokale “Tregu” Sh.A. në Gjilan ka nisur punimet për krasitjen e pemëve me shkallë të lartë rrezikshmërie në lokacione të ndryshme të qytetit.
Ky aksion po zhvillohet me kërkesë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtorisë së Arsimit, si masë parandaluese me hyrjen në stinën e vjeshtës.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, qëllimi kryesor i këtyre intervenimeve është eliminimi i rrezikut nga thyerja e degëve si pasojë e erërave të forta vjeshtore dhe peshës së borës gjatë dimrit.
Përmes këtij procesi synohet rritja e sigurisë për qytetarët dhe mbrojtja e hapësirave publike, përfshirë edhe oborret e institucioneve arsimore.
Realizimi i suksesshëm i këtyre punimeve po mbështetet edhe nga kompania “EL-BAU” Sh.P.K., e cila po asiston vazhdimisht me mjete dhe personel.
Nga NPL “Tregu” kanë shprehur mirënjohje për gatishmërinë, korrektësinë dhe bashkëpunimin e treguar nga kjo kompani në shërbim të komunitetit. /dita24h/
