Gjilan – Universiteti Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan po vazhdon zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar përmes partneriteteve të reja me institucione të arsimit të lartë në Rumani.
Gjatë një vizite zyrtare, delegacioni i UKZ-së, i udhëhequr nga rektorja Fitore Malaj, ka arritur rezultate konkrete në krijimin e mundësive të reja për mobilitet akademik.
Një ndër arritjet kryesore të kësaj vizite është nënshkrimi i Marrëveshjes Ndërinstitucionale Erasmus+ KA171 me Valahia University of Târgoviște, e cila hap perspektiva të reja për shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe atij administrativ ndërmjet dy institucioneve, duke kontribuar drejtpërdrejt në ndërkombëtarizimin e UKZ-së.
Përveç kësaj, delegacioni i UKZ-së – i përbërë edhe nga prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Arben Sahiti, udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Betim Berisha, dhe asistentja ekzekutive Liza Maliq, ka zhvilluar takime të suksesshme edhe me Petroleum-Gas University of Ploiești. Palët kanë avancuar diskutimet drejt finalizimit të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) dhe një marrëveshjeje tjetër Erasmus+ KA171.
Gjatë takimeve, rektorja Malaj prezantoi prioritetet zhvillimore të UKZ-së dhe rëndësinë e integrimit në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë, ndërsa delegacioni diskutoi mundësitë për projekte evropiane, kërkime të përbashkëta shkencore, si dhe programe të studimit Double Degree dhe Joint Degree.
Këto partneritete të reja dëshmojnë përkushtimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me universitetet evropiane në shërbim të studentëve dhe stafit të tij.
