SIGURI/Apel për kujdes nga erërat e forta dhe stuhitë në Gjilan

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe vigjilencë të shtuar, pas erërave të forta dhe stuhive që kanë shkaktuar dëme materiale në disa pjesë të Kosovës, përfshirë shkëputjen e kulmeve, rrëzimin e drunjve dhe dëmtimin e objekteve.

​Për të shmangur rreziqet, institucioni rekomandon që qytetarët të mbyllin mirë dyert dhe dritaret, të sigurojnë kulmet dhe sendet e lira në ballkone e tarraca, si dhe të shmangin qëndrimin pranë dritareve të mëdha.

Po ashtu, këshillohet të shmangen daljet e panevojshme, automjetet të mos parkohen pranë drunjve, shtyllave elektrike apo objekteve të rrezikshme, dhe gjatë vozitjes të ulet shpejtësia.

​Në ambiente të hapura, qytetarët luten të qëndrojnë larg drunjve të dëmtuar, tabelave reklamuese, skelave dhe sidomos kabllove elektrike të këputura, ndërsa gjatë stuhisë të mos tentojnë të riparojnë kulmet apo të largojnë vetë drunjtë e rrëzuar.

Nga Drejtoria kërkohet që të ndihmohen të moshuarit, fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta, si dhe të njoftohen menjëherë institucionet përkatëse për çdo rrezik.

​Për raste emergjente, qytetarët mund të telefonojnë në 112 (Numri unik emergjent), 193 (Zjarrfikësit) dhe 192 (Policia)./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët