KRONIKË/Mbi 1,500 gjoba dhe 52 patentë-shoferë të bllokuar në Gjilan

Kontrollet e rrepta të policisë në rrugët e Gjilanit nuk po falin asnjë shkelje, duke lënë dhjetëra shoferë pa patentë dhe mbi një mijë të tjerë me gjoba në xhep vetëm gjatë javës së fundit.

Sipas raportit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, gjatë periudhës 13–19 nëntor 2026 janë shqiptuar gjithsej 1,521 gjoba në kuadër të planeve operative për siguri në trafik, raporton dita24h.

Gjatë kësaj jave janë trajtuar 22 aksidente trafiku, prej të cilave 11 me të lënduar dhe 11 me dëme materiale. Po ashtu, policia ka ndërmarrë këto masa:

– 52 ngasësve u është shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për kohë të caktuar;
– 36 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë;
– 24 gjoba për përdorim të telefonit mobil.

Policia në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që në rast aksidenti me dëme të vogla materiale të ruajnë qetësinë, të bashkëpunojnë, të fotografojnë vendin e ngjarjes, të shkëmbejnë të dhënat dhe të plotësojnë e nënshkruajnë raportin evropian të aksidenteve.

Mbani gjithmonë me vete raportin evropian për një trafik më të sigurt për të gjithë.

Shpërndaj me të tjerët