Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit S. K., i dyshuar për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve të gjykatës gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Ngjarja ka ndodhur më 17 nëntor 2026, rreth orës 14:00, në lagjen ‘Zabeli’ (rruga ‘Martirët e Gjilanit’) në Gjilan. Sipas dosjes së prokurorisë, të dëmtuarit Zh. S. dhe R. J., shpërndarës në Gjykatën Themelore në Gjilan, ishin ndalur me veturë për të kërkuar një adresë dhe personin me inicialet L. K.
Në momentin që njëri prej zyrtarëve e ka pyetur të pandehurin S. K. nëse e njihte personin në fjalë, ky i fundit është afruar tek dera e veturës dhe ka filluar ta godasë me grushte, duke e kapur edhe për bluze.
Kur zyrtari tjetër (R. J.) ka dalë nga vetura për ta ndaluar sulmin, i dyshuari e ka goditur edhe atë me grusht në kokë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e sulmit, i dëmtuari Zh. S. ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Dita 24h/
