GJILAN – Stuhia e fuqishme e erës që përfshiu Komunën e Gjilanit gjatë natës së 19 dhe 20 nëntorit ka shkaktuar dëme materiale në disa lokacione të qytetit dhe fshatrave, duke vënë në lëvizje ekipet emergjente.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), në bashkëpunim me Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), ka ndërhyrë menjëherë për të menaxhuar situatën. Drejtori i DMSH-së, Enver Shabani, ka dalë në terren për të koordinuar largimin e pjesëve të rrezikshme të fasadave, të cilat ishin shkëputur nga disa objekte të banimit kolektiv.
Po ashtu, sipas raportimeve zyrtare, nga era e fortë është dëmtuar kulmi i një shtëpie në fshatin Livoç i Epërm, ndërsa në Lagjen e Dëshmorëve janë rrëzuar disa drunj. Ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar për largimin e drunjve nga rruga, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit të sigurt për automjetet dhe qytetarët.
Masat parandaluese për reagim ndaj këtyre incidenteve ishin ndërmarrë paraprakisht në bazë të paralajmërimeve të Agjencisë Meteorologjike të Kosovës për kushte të pafavorshme atmosferike.
Meqenëse paralajmërimet për mot të lig vazhdojnë edhe për ditët në vijim, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar.
Qytetarët këshillohen të jenë të vëmendshëm veçanërisht në hapësirat e hapura dhe në afërsi të objekteve me fasada të dëmtuara, drunjve dhe elementeve të tjera që mund të paraqesin rrezik.
Autoritetet ftojnë banorët të respektojnë rekomandimet e sigurisë dhe të raportojnë me kohë çdo situatë që mund të rrezikojë jetën e njerëzve dhe pronën, teksa ekipet mbeten në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës.
