GJILAN, 20 nëntor 2026 – Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan u mbajt takimi i radhës për hartimin e raportit të monitorimit të Treguesve Kryesorë të Performancës (KPI), me qëllim shqyrtimin e progresit të deritanishëm dhe avancimin e mëtejshëm të këtij procesi.
Takimin e hapi Prorektorja për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, Voglushe Kurteshi, ndërsa të pranishëm ishin edhe Rektorja e Universitetit, dekanët e njësive akademike, si dhe përfaqësues të tjerë të përfshirë në këtë proces.
Gjatë diskutimeve u vlerësua ecuria e deritanishme në realizimin e detyrave, u analizuan sfidat dhe pengesat e hasura, si dhe u shqyrtuan mundësitë për zgjidhje konkrete që çojnë drejt përmbushjes së objektivave të përcaktuar.
Rektorja Fitore Malaj vlerësoi rëndësinë e treguesve të performancës si një mekanizëm thelbësor për zhvillimin e institucionit, duke nënvizuar se përmes tyre mundësohet matja e punës, përcjellja e rezultateve dhe orientimi i drejtë i proceseve zhvillimore.
Ajo bëri thirrje për angazhim të përbashkët dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet njësive akademike dhe strukturave administrative, në mënyrë që ky proces të përmbyllet me përgjegjësi dhe të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë institucionale.
Në përmbyllje të këtij takimi pune, pjesëmarrësit shkëmbyen ide, trajtuan çështjet e hapura dhe koordinuan hapat e ardhshëm për finalizimin e Raportit të Monitorimit të Treguesve të Performancës. /dita24h/
