Kanë kaluar plot 26 vjet nga dita kur grykat e pushkëve të lirisë jehuan fuqishëm në pikën e Lluqanit të Bujanocit, duke shënuar një nga kthesat më vendimtare të luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).
Në këtë përvjetor të lavdishëm, njëri ndër figurat e shquara të asaj beteje, ish-komandanti i togut, Bekim Limani , i njohur nga bashkëluftëtarët dhe populli me nofkën e luftës “Bekimi i Zi”, ka ndarë kujtimet dhe emocionet e tij të pathyeshme për atë ditë historie.
Me zërin që dridhet nga pesha e kujtimeve, por me krenarinë e luftëtarit që pa lirinë të lindte mbi gjakun dhe sakrificën e shokëve, Bekimi i Zi kujton orët e zjarrit në Lluqan, ku vendosmëria e ushtarëve të UÇPMB-së mposhti makinerinë policore serbe.
”Sot mbushen 26 vjet nga aksioni i ndërmarrë në pikën e Lluqanit. Pas disa orë luftimesh të ashpra ballë për ballë, ushtarët e UÇPMB-së arritën të marrin nën kontroll pozicionet e policisë serbe. Nga këto luftime, forcat serbe u thyen rëndë, duke lënë pas veti disa të vrarë, disa të plagosur si dhe një sasi të konsiderueshme armatimi. Nga kjo datë historike, nën kontrollin tonë ranë fshatrat Lluqan, Konçul si dhe Tërnoci i Madh,” shprehet me emocion ish-komandanti Limani.
Kjo fitore nuk ishte thjesht një avancim ushtarak në terren; ajo ishte thyerja e frikës dhe frymëmarrja e parë e lirisë për banorët e Luginës së Preshevës.
Marrja e Lluqanit, Konçulit dhe Tërnocit të Madh dëshmoi se idealet e lirisë ishin më të forta se çdo arsenal armësh dhe se djemtë e kësaj toke ishin të gatshëm të bëheshin mur i gjallë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.
Në përfundim të rrëfimit të tij, Bekim Limani nuk harron të përulet me nderimin më të lartë para atyre që dhanë gjithçka që sot ky brez të jetojë i lirë:
”Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e kombit! Nder dhe respekt i pafund për të gjithë bashkëluftëtarët e mi,” përfundon ai.
Bekim Limani, i cili vjen nga Malësia e Bujanocit, përkatësisht nga fshati heroik i Suharrnës, mbetet një dëshmi e gjallë e asaj epoke të lavdishme.
Pas përfundimit të luftës, ai jeton dhe vepron në Livoç të Epërm të Gjilanit, duke ruajtur me fanatizëm amanetin e dëshmorëve dhe kujtimin e atyre ditëve kur historia u shkrua me gjak e guxim. /dita24h/
