SPORT / Spektakël me 7 gola në Gjilan, Drita mposht Feronikelin 74 (4:3)

Në një ndeshje tejet të hapur, dinamike dhe me aksione të ndërtuara mirë e efikase, Drita ka triumfuar me rezultat të ngushtë 4:3 ndaj Feronikelit 74, në kuadër të javës së 14-të të Superligës së Kosovës.

​Takimi nisi me ritëm të lartë dhe befasi të menjëhershme: ish-lojtari i Dritës, Albin Prapashtica, kaloi në epërsi Feronikelin 74 qysh në minutën e 2-të me një eurogol.

​Drita reagoi shpejt dhe barazoi shifrat në minutën e 16-të përmes Besnik Krasniqit nga afërsia, pas një depërtimi të bukur të Ovukës nga krahu i djathtë.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 22-të, Rroca e kaloi Dritën në epërsi 2:1 pas një aksioni të rrjedhshëm nga krahu i majtë i nisur nga Grezda.

​Megjithatë, mysafirët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 36-të barazuan në 2:2 me anë të Cervadikut, i cili realizoi nga afërsia, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me barazim.

​Edhe pjesa e dytë solli dramë dhe gola të shpejtë. Në minutën e 48-të, Blerim Krasniqi shënoi me kokë për 3:2 në favor të Dritës, por gëzimi i vendasve zgjati deri në minutën e 54-të, kur Dobratiqi barazoi sërish shifrat në 3:3.

​Goli vendimtar i takimit erdhi në minutën e 60-të, kur Grezda me një gjuajtje ballore dërgoi topin në rrjetë për 4:3, duke i siguruar Dritës tri pikë të çmuara në një superndeshje./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët