Skuadra e volejbollit të femrave, KV Drita, ka regjistruar një tjetër paraqitje dominante në elitën e volejbollit kosovar.
Në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës A, vashat gjilanase kanë triumfuar me rezultat të pastër 3-0 në sete ndaj Gjinocit, fitore kjo me të cilën Drita kurorëzohet kampione vjeshtore.
Ndeshja u karakterizua nga kontrolli i plotë i Dritës që nga fillimi deri në fund. Gjilanaset e nisën furishëm takimin, duke e mbyllur setin e parë me rezultat të thellë 25:13.
E njëjta tablo u pa edhe në setin e dytë, ku vendasit nuk lejuan befasi dhe triumfuan 25:15.
Në setin e tretë, Gjinoci tregoi diçka më shumë rezistencë, por eksperienca dhe cilësia e Dritës bënë diferencën për ta mbyllur setin në 25:20 dhe krejt ndeshjen në 3-0.
Me këto tri pikë të reja, Drita arrin në kuotën e 11 fitoreve nga 12 ndeshje të zhvilluara dhe forcon ndjeshëm pozitën e parë në renditje me 32 pikë të grumbulluara, duke mbyllur pjesën e parë të kampionatit në krye të tabelës.
Ndërkohë, Gjinoci mbetet në vendin e pestë në tabelë me 13 pikë./dita24h/
