KRONIKË/Trilloi sëmundje të rëndë për të mbledhur para në Kosovë dhe diasporë, arrestohet një person në Gjilan

Një person me inicialet E. A. është arrestuar nga Policia e Kosovës në Gjilan, nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët duke trilluar se vuan nga një sëmundje e rëndë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

​Sipas një njoftimi që ka ardhur paksa me vonesë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, dyshohet se i dyshuari ka organizuar fushata për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe në diasporë, përfshirë edhe përmes platformës GoFundMe, kinse për trajtim dhe rehabilitim shëndetësor.

​Pas hetimeve, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Republikës së Kosovës janë bllokuar dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, mjetet e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në vendimin e gjykatës.

Ndërkohë, për fondet e grumbulluara përmes platformës GoFundMe në Gjermani, tashmë ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve.

​I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor, ndërsa sot, më 23 nëntor, Gjykata Themelore në Gjilan, me kërkesë të Prokurorisë, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

​Nga Policia e Kosovës në Gjilan kanë theksuar se mbeten të përkushtuar në hetimin e çdo dyshimi për keqpërdorim, duke mbrojtur solidaritetin dhe humanizmin e qytetarëve, në mënyrë që raste të tilla të mos cenojnë gatishmërinë për t’i ndihmuar ata që kanë vërtet nevojë.

Shpërndaj me të tjerët