ARSIM/UKZ nënshkruan marrëveshje të re me Arel University në Stamboll

Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, e cila po zhvillohet nga 23 deri më 26 nëntor 2026, delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga Rektorja,  Fitore Malaj, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Arben Sahiti, dhe Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime,  Betim Berisha, realizoi një takim institucional në Arel University në Stamboll.

​Takimi kishte për qëllim avancimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy institucioneve, si dhe krijimin e mundësive të reja për shkëmbime dhe mobilitete ndërkombëtare.

​Gjatë takimit u nënshkrua marrëveshja e re e bashkëpunimit Erasmus+ KA171, e cila paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërinstitucional dhe zhvillimit të mobiliteteve akademike ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Arel University.

​Në kuadër të marrëveshjes, të dy universitetet shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në përgatitjen dhe aplikimin e projekteve të përbashkëta Erasmus+ KA171, me synim krijimin e mundësive të reja për mobilitetin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira akademike.

​Kjo vizitë dhe marrëveshja e nënshkruar përbëjnë një tjetër hap konkret në përpjekjet e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për ndërkombëtarizimin e institucionit, zgjerimin e rrjetit të partnerëve akademikë dhe fuqizimin e bashkëpunimit me universitetet ndërkombëtare./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët