Drita sonte e zhvillon ndeshjen e kthimit kundër skuadrës daneze Copenhagen në kuadër të Ligës së Kampionëve, me fillim në ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshjen e parë, Drita e kishte humbur me rezultat 2:0 në Danimarkë, ndonëse pati një paraqitje dinjitoze dhe luftarakë.
Trajneri i Dritës, Zekrija Ramadani, një ditë para ndeshjes deklaroi:
“Favorit është ekipi kundërshtar, ne jemi në disavantazh, por në përballje me skuadra të mëdha si këto, asnjëherë nuk je humbës, sepse fiton përvojë dhe eksperiencë të çmuar.”
Skuadra e Dritës ka dëshmuar vazhdimisht se ka potencial, disiplinë, vullnet dhe gatishmëri për të dhënë maksimumin. Këtë javë kanë punuar në heshtje, pa pompozitet, me përkushtim të lartë dhe përqendrim maksimal për përballjen që i pret.
Një ekip me angazhim maksimal, përkushtim të palëkundur, përgatitje tekniko-taktike, koncentrim të lartë, moral të ngritur dhe përkrahje të zjarrtë nga tifozët, mund ta eliminojë edhe një skuadër të fortë evropiane.
A do të përmbysë Drita rezultatin dhe të vazhdojë ëndrrën evropiane? Kjo mbetet të shihet gjatë 90 minutave të sfidës sonte në “Fadil Vokrri”.