Në një vizitë zyrtare në Durrës, drejtues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe të Universitetit “Aleksandër Moisiu” kanë formalizuar bashkëpunimin e ndërsjellë akademik përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi ndërinstitucional.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, si dhe anëtarja e Këshillit Drejtues, Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, u pritën në një takim zyrtar nga Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi.
Gjatë këtij takimi, palët nënshkruan një marrëveshje që synon të zgjerojë fushat e bashkëpunimit mes dy universiteteve, me theks të veçantë në:shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare,organizimin e aktiviteteve kërkimore-shkencore,si dhe krijimin e programeve të përbashkëta dhe duale të studimit.
Ky hap i ri i bashkëpunimit ndërlidhet me përkushtimin strategjik të të dy universiteteve për ngritjen e cilësisë akademike dhe rritjen e ndërkombëtarizimit në arsimin e lartë.
Marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve publike të arsimit të lartë në rajon, duke hapur horizonte të reja për zhvillimin profesional dhe akademik të studentëve dhe stafit.