Vullnetmirët dhe dorëlirët edhe këtë herë kanë treguar se kur bëhen bashkë, çdo gjë është e mundur. Një grup i të rinjve humanitarë, të prirë nga Dradan Veseli, kanë arritur të sigurojnë mjete për blerjen e një kombi të ri, i cili do të përdoret për shpërndarjen e ndihmave dhe aktivitete të tjera në shërbim të komunitetit.
Kontributet kanë ardhur nga afaristë vendas dhe nga diaspora, të cilët, si gjithmonë, kanë preferuar të mbeten anonimë, duke dhënë sipas mundësive dhe vullnetit të tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Veseli ka bërë të ditur se nga thirrja publike janë grumbulluar 7,150 euro, ndërsa 2,000 euro janë siguruar nga shitja e kombit të mëparshëm, duke e çuar buxhetin në 9,150 euro. Kombi është blerë për 6,900 euro, ndërsa rreth 2,500 euro janë paraparë për procedurat doganore dhe pajisjen me tabela.
“Lusim Zotin të na mundësojë ta përdorim këtë kombi për hajr, në dobi të komunitetit dhe të gjithë kontribuesve. Për çdo kilometër të kaluar në shërbim të humanitetit, Zoti ua shpërbleftë me bereqet, shëndet dhe lumturi në familje”, ka shkruar Veseli.
Ky veprim edhe një herë dëshmon fuqinë e solidaritetit dhe gatishmërinë e të rinjve e diasporës për të investuar në të mirën e përbashkët.