PDK-ja në Gjilan reagon për cilësinë e punimeve në stadiumin e qytetit

 

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka shprehur shqetësimin e saj për cilësinë e punimeve në stadiumin e qytetit. Në një postim zyrtar, partia thekson se pamjet e fundit tregojnë një realitet të hidhur dhe cilësi skandaloze ndërtimi.

Fotografitë e publikuara tregojnë qartë se betoni është i çarë dhe i dëmtuar në disa pjesë të bazamentit. Moskompaktimi dhe mosvibrimi gjatë betonimit dëshmojnë se punimet janë të pakontrolluara dhe pa mbikëqyrje profesionale.

PDK-ja thekson se është e papranueshme që një objekt publik, i ndërtuar me miliona euro të qytetarëve, të punohet me këtë cilësi. Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi kryetarin e Komunës, sidomos kur në komisionet mbikëqyrëse emërohen praktikantë pa përvojë dhe pa kualifikim të duhur profesional.

Partia kërkon hetim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, llogaridhënie dhe rikthim të standardeve në ndërtim. Gjilani nuk ka nevojë për një stadium të rrezikshëm.

“Për katër vite fare pak punove, por gjithçka e shkretove,” përfundon reagimi i PDK-së.

 

 

Shpërndaj me të tjerët