Ndeshja e fazës së grupeve të UEFA Conference League ndërmjet KuPS dhe Dritës, e zhvilluar të enjten dhe që përfundoi pa fitues (1:1), solli jo vetëm futboll cilësor, por edhe ngjarje të veçanta për komunitetin shqiptar në Finlandë.
Edhe pse mijëra kilometra larg Kosovës, Drita u përkrah fuqishëm nga dhjetëra bashkatdhetarë që kishin udhëtuar me qindra kilometra për të parë kampionin e Kosovës nga afër.
Ndër ta ishte edhe Nexhat Dumani, kryetar i Rrjetit të Biznesit Shqiptar në Finlandë, i cili së bashku me të birin Petritin ndoqi nga afër ndeshjen dhe më pas vizitoi ekipin në hotelin ku qëndronin, rreth 40 km larg stadiumit.
Dumani u prit nga drejtorët e Drita FC Feti Murseli dhe Valon Zymberi, si dhe nga stafi përcjellës i klubit.
Ai nuk fshehu emocionet e mëdha për këtë takim, duke theksuar dashurinë e tij për atdheun dhe krenarinë për paraqitjen e Dritës në arenën ndërkombëtare.
Kryetari i rrjetit të bizneseve shqiptare në Finlandë bëri të ditur se ky rrjet përfshin rreth 1000 biznese, kryesisht në ndërtimtari, hoteleri, mekanikë dhe teknologji.
Sipas tij, shqiptarët në këtë vend verior të Evropës janë të respektuar dhe të vlerësuar për punën, korrektësinë dhe kulturën që tregojnë.
“Shqiptarët këtu janë punëtorë, të ndershëm dhe të edukuar. Kudo që shkojnë i kanë dyert e hapura”, u shpreh Dumani.
Ai foli edhe për avantazhet e jetës në Finlandë, ku arsimi dhe shëndetësia janë falas dhe në nivel shumë të lartë, duke krijuar një shoqëri të barabartë dhe me dinjitet.
Dumani tregoi se kompanitë shqiptare në Finlandë bashkëpunojnë mes tyre, duke ndarë punët sipas fushave dhe kapaciteteve, që edhe bizneset më të vogla të kenë mundësi të zhvillohen.
Megjithëse shpresonte për një fitore të Dritës ndaj skuadrës finlandeze, Dumani theksoi se futbolli shpesh është i paparashikueshëm dhe më i madh se vetë dëshirat e tifozëve.
Ky barazim dhe përkrahja e diasporës treguan edhe një herë se sporti është një urë e fuqishme që lidh shqiptarët kudo në botë me atdheun e tyre.
Finlanda ndodhet në Evropën Veriore dhe kufizohet me Suedinë, Norvegjinë e Rusinë, me dalje në Detin Baltik.
Ka rreth 5.5 milion banorë dhe njihet për mijëra liqene, pyje të dendura dhe traditën e saunës.
Vendi ka arsim e shëndetësi falas dhe shpesh renditet si më i lumturi në botë.
Sporti kryesor është hokeji mbi akull, ndërsa futbolli mbetet më pak i popullarizuar.


