Ramadani i prekur nga lufta në Gaza: Nuk kam fytyrë të gëzohem derisa vriten fëmijët

 

Sportistët shpesh konsiderohen ndër njerëzit më të ndjeshëm ndaj luftës dhe dhunës, sidomos kur viktima janë fëmijët e pafajshëm. Këto skena trishtuese prekin shpirtin e tyre dhe nuk mbeten pa jehonë.

Një ndër ta është edhe kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, i cili në konferencën për media, para derbit lokal të nesërm Gjilani–Drita, u shpreh thellësisht i tronditur nga pamjet e ditëve të fundit të luftës në Gaza.
Ai theksoi se, si sportist dhe mbi të gjitha si njeri, nuk mund të ndjejë gëzim apo emocion përderisa fëmijët e pafajshëm po humbin jetën në këtë tragjedi.

“Nga sot nuk do të shpreh asnjë emocion, në asnjë vend, në asnjë sukses, në asnjë fitore, derisa vriten fëmijët në Gaza, derisa atje nuk ndalet lufta. Jam prekur shumë sot kur kam parë disa lajme, nuk kam fytyrë të gëzohem derisa vriten fëmijët e pafajshëm”, tha Ramadani me emocion.

Këto fjalë tregojnë ndjeshmërinë e tij si njeri dhe si sportist, duke dëshmuar se përtej futbollit, jeta dhe dhimbja e fëmijëve të pafajshëm janë shumë më të mëdha se çdo fitore në fushë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët