Projekti “Talent Coach Programme” nis me grupmoshat U-14 për vajza dhe djem
Federata e Futbollit e Kosovës ka mirëpritur sot përfaqësuesit e FIFA-s, Tomas Danilevicius dhe Daniel Cooke, në kuadër të projektit të ri “Talent Coach Programme”, që synon ngritjen e Akademisë së parë të FIFA-s për talentet e rinj në rajon.
Ky projekt do të nisë zbatimin në fillim të vitit 2026 dhe do të përfshijë talentet U-14, si vajza ashtu edhe djem, duke krijuar një sistem të qëndrueshëm për identifikimin dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj në të gjitha regjionet e Kosovës.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se fakti që Kosova është zgjedhur për ta nisur këtë projekt të FIFA-s në rajon, është një dëshmi e besimit dhe e progresit që futbolli kosovar ka arritur në vitet e fundit.
Ky projekt do të shërbejë si gurthemel për zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe për përgatitjen e brezave të ardhshëm të sportistëve që do ta përfaqësojnë vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare.

