Pas përfundimit me sukses të cikleve të edukimit për licencat UEFA C, B dhe A, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka filluar përgatitjet për kursin më të avancuar të trajnerëve, UEFA Pro Licence.
Departamenti Teknik i FFK-së zhvilloi një takim pune në kuadër të projektit “Build-up of FFK Pro Licence”, nën udhëheqjen e instruktorit të UEFA-s, Frank Wormuth.
Takimi u përqendrua në përgatitjen e përmbajtjes teorike të modulit dhe përcaktimin e standardeve që do të ndiqen gjatë kursit, në përputhje me kërkesat e UEFA-s.
Ky proces konsiderohet një hap i rëndësishëm për avancimin e edukimit të trajnerëve kosovarë, duke e afruar Kosovën me standardet e futbollit evropian.
Kursi i parë për Licencën UEFA Pro pritet të nisë në vitin 2026, duke u mundësuar trajnerëve tanë nivelin më të lartë të kualifikimit profesional në futbollin kontinental.

