Satirike – BALOTAZHI
Nga Sevdail Hyseni
(E përsëritur)
Do t’i ngasin pelat
Burrat e mejdanit,
Për t’i shtrirë këmbët
Përjashta jorganit.
Ndonëse gjatë votimit
Premtimet pinë ujë,
Ndokujt dhe jorgani
Do t’i dalë mbi gjunjë.
Tani, këmbëzbathur,
Nuk e kanë aq lehtë,
Të ngjiten në pushtet
Prapë me marifet.
Në këto procese
Me “dobí shoqërore”,
Vetëm qytetarët
Mbeten pa favore.
Ata japin votën
Për mirë e mbarë,
Dhe për katër vjet
Na mbeten guxharë.
Në fund, dhe satira
E nxjerr një mesazh:
Hilet më të mëdha
Ndodhin n’balotazh!
Në zgjedhje fitojnë
Ata që kanë “fat”,
Me xhepat e thellë
Dhe gjuhën e gjatë.
Spica Metalike
(Karikatura e përpunuar, marrë nga interneti)

