Alban Hyseni falënderon qytetarët e Gjilanit për përkrahjen masive
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve, aktivistëve dhe përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Hyseni ka falënderuar të gjithë ata që i dhanë mbështetje gjatë mandatit të parë dhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore.
“Të dashur qytetarë të Gjilanit, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të gjithë ju përkrahës që na votuat masivisht më datë 12 tetor. Falënderoj nga zemra secilin prej jush për mbështetjen e madhe gjatë katër viteve të mandatit tonë të parë, e gjithashtu edhe për një fushatë fantastike, dinjitoze, pa ofendime dhe me shumë takime në çdo lagje e fshat të Gjilanit tonë,” ka shkruar Hyseni.
Ai ka theksuar se përkrahja e qytetarëve dhe e mërgatës është nder dhe përgjegjësi e madhe, duke shtuar se puna do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim si deri më tani.
“Punë të mëdha na presin, andaj mobilizimi ynë është fuqia e madhe që ka triumfuar në secilën garë, e me të njëjtin intensitet do të vazhdojmë edhe më tutje, bashkë me secilin prej jush,” ka shtuar kryetari Hyseni, duke përfunduar me mesazhin: “Faleminderit nga zemra. Vazhdojmë bashkë!”

