Kushtrim Ibrahimi, kandidati më i votuar i LVV-së në Gjilan, falënderon qytetarët për mbështetjen

 

Pas numërimit të shumicës së votave në zgjedhjet e 12 tetorit, Kushtrim Ibrahimi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është konfirmuar si kandidati më i votuar në Gjilan, me 955 vota të fituara deri më tani.

Në një postim në rrjetet sociale, Ibrahimi ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për besimin dhe përkrahjen e madhe, duke e cilësuar këtë si një nder dhe përgjegjësi të madhe.

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjilanit,
Shpreh mirënjohjen time më të thellë e më të sinqertë për besimin që na dhatë në këto zgjedhje, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj kryetarit Alban Hyseni, si dhe ndaj meje personalisht, si asambleist në Kuvendin Komunal të Gjilanit,” ka shkruar ai.

Sipas tij, fushata zgjedhore ishte një mundësi për t’u takuar me shumë qytetarë, për të dëgjuar shqetësimet dhe idetë e tyre, të cilat do të jenë udhërrëfyes për mandatin e ri.

“Këto takime më dhanë motiv dhe energji të re për të punuar me përkushtim dhe ndershmëri në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve tanë,” ka shtuar Ibrahimi.

Ai ka falënderuar edhe familjen, shoqërinë dhe aktivistët e LVV-së për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë fushatës.

Në fund, Ibrahimi ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për një Gjilan më të zhvilluar, me projekte konkrete dhe dinjitet për secilin qytetar, duke e përmbyllur me mesazhin:
“Faleminderit nga zemra për mbështetjen tuaj, vazhdojmë bashkë!”

 

 

Shpërndaj me të tjerët