Pas numërimit të të gjitha 140 vendvotimeve, që kishin mbetur pa u numëruar me postë dhe me kusht, në komunën e Gjilanit, është konfirmuar se asnjëri nga kandidatët për kryetar nuk ka arritur të fitojë mbi 50 për qind të votave, çka nënkupton se qyteti do të shkojë në balotazh.
Sipas rezultateve preliminare, Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje! ka marrë 49.82% ose 22,160 vota, ndërsa Arbër Ismajli nga LDK ka siguruar 34.31% ose 15,262 vota.
Në vendin e tretë është renditur Riad Rashiti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 12.15% ose 5,404 vota.
Bazuar në këto rezultate, Alban Hyseni dhe Arbër Ismajli do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit, që do të përcaktojë kryetarin e ri të komunës së Gjilanit.

