Mësuesja dhe luftëtarja që në Kuvend do të përfaqësojë qytetarët e Gjilanit

Nga klasat e kimisë dhe betejat për liri, deri në ulësen e Asamblesë Komunale,  rrugëtimi i Malikie Ymeri Hoxhës, shembull i përkushtimit dhe guximit femëror në shërbim të qytetit

Malikie Ymeri Hoxha, mësimdhënëse e Kimisë në shkollën 9-vjeçare “Abaz Ajeti” në Gjilan, ka arritur të sigurojë ulësen në Kuvendin Komunal me 323 vota, duke u bërë femra më e votuar e PDK-së në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Edhe pse ishte herë e parë që kandidonte për këshilltare komunale, për shumëkënd në PDK dhe në qytet kjo nuk ishte befasi.

Malikie Hoxha është veterane e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veterane e arsimit dhe rrjedh nga një familje atdhetare që ka dhënë kontribut të hershëm në formimin e PDK-së në Gjilan.

Rrugëtimin në arsim e nisi në vitin 1993, në periudhën e vështirë kur mësimi zhvillohej falë përkushtimit të mësuesve vullnetarë.

Pa pagesë, por me dashuri dhe përgjegjësi, ajo u përkushtua që drita e dijes të mos fiket për fëmijët e Kosovës.

Ky ishte misioni i saj i parë,  edukimi në kushte të okupimit.

Kur erdhi koha e luftës, Malikie Hoxha nuk qëndroi spektatore.

Ajo iu bashkua radhëve të UÇK-së, krah për krah me vëllezërit dhe kunatën e saj, duke dhënë gjithçka që kishte për lirinë e vendit.

“Ajo periudhë më forcoi shpirtërisht dhe më bëri edhe më të vendosur për të ecur përpara. Pas luftës iu ktheva arsimit, profesionit që e dua me shpirt. Çdo ditë punoj me dashuri e përkushtim për nxënësit, jo thjesht si detyrë, por si mision jetësor”, është shprehur ajo.

Për punën e saj, Malikie Hoxha është nderuar me mirënjohje e vlerësime të shumta, por siç thotë vetë ajo, “respekti dhe dashuria e nxënësve mbeten shpërblimi më i madh.”

Tani, si pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ajo synon të jetë zë i fuqishëm dhe i pandashëm në shërbim të qytetarëve, duke e parë këtë rol si një vazhdimësi të natyrshme të përkushtimit të saj ndaj arsimit, komunitetit dhe atdheut.

 

Shpërndaj me të tjerët