Komuna e Gjilanit është vlerësuar ndër më të suksesshmet në vend, sipas Raportit të Performancës Komunale të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Raporti, i bazuar në Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Performancës Komunale, pasqyron rezultatet e arritura në disa fusha kyçe të qeverisjes lokale, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, menaxhimin e resurseve dhe transparencën institucionale.
Në këtë raport, Komuna e Gjilanit është renditur ndër të parat në disa fusha të rëndësishme.
Në infrastrukturën rrugore, hapësirat publike dhe në kulturë, rini e sport, Gjilani ka marrë vlerësimin maksimal me 100 pikë.
Po ashtu, komuna ka treguar rezultate të larta në shërbimet publike, shërbimet administrative, transparencën komunale, si dhe në barazinë në punësim, shërbimet sociale e familjare.
Ky vlerësim konsiderohet si dëshmi e përkushtimit institucional për qeverisje efikase dhe shërbime cilësore ndaj qytetarëve të Gjilanit.
