Menaxhmenti i UKZ-së fuqizon barazinë gjinore në arsimin e lartë në Kosovë

 

Në kuadër të përpjekjeve për promovimin e barazisë gjinore, Universiteti Publik “Kadri Zeka” mori pjesë në Punëtorinë mbi Barazinë Gjinore në Arsimin e Lartë, e organizuar nga Programi SHER më 15 tetor 2025.

Ngjarja mbledhi përfaqësues të universiteteve publike, MASHTI-t, UN Women Kosova, organizata të shoqërisë civile dhe studentë, të gjithë të fokusuar në avancimin e përfshirjes dhe barazisë gjinore në sistemin akademik.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, nënvizoi rëndësinë e hartimit të Planit të Veprimit për Barazinë Gjinore në UKZ, si një dokument strategjik që integron perspektivën gjinore në të gjitha politikat, programet dhe praktikat institucionale.

Ai prezantoi gjithashtu iniciativën për të krijuar një Program të Përbashkët Master në Studime Gjinore, në bashkëpunim me Universitetin “Sapienza” të Romës dhe Universitetin e Bankokut, duke e konsideruar këtë hap si një shtysë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim të kërkimit shkencor në fushën e barazisë gjinore.

Punëtoria shërbeu si platformë për diskutime praktike mbi integrimin e barazisë gjinore në mësimdhënie, kërkime dhe planet akademike, duke nxjerrë në pah edhe projektet inovative të mbështetura nga Programi SHER, si “Gender-Inclusive Design”, “EmpowerHER” dhe “Words Matter”.

Sesioni përmbyllës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe përkushtimit institucional për ta bërë barazinë gjinore një pjesë të qëndrueshme të arsimit të lartë në Kosovë.

 

Shpërndaj me të tjerët