Gjilani dorëzohet para Dukagjinit, ndalet seria pozitive

 

Gjilani nuk ka arritur të vazhdojë lojërat dhe rezultatet e mira, duke u kthyer sërish në avazin e vjetër, humbjeve.
Këtë herë, skuadra gjilanase  është mposhtur në shtëpi nga Dukagjini i Klinës me rezultat 0:2, në kuadër të javës së 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

Që në minutën e 4-t, mysafirët kaluan në epërsi me golin e Altin Mërlakut nga një gjuajtje e lirë, ndërsa Khalid në minutën e 84-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, vulosi rezultatin përfundimtar 0:2 në favor të Dukagjinit.

Kjo ishte humbja e parë e Debatik Currit si trajner i parë i Gjilanit, i cili vetëm pak ditë më parë kishte debutuar me një fitore, e më pas kishte arritur edhe një barazim jashtë fushe,  duke shënuar kështu ndeshjen e tretë në drejtimin e skuadrës kuqebardhë.
Në këtë përballje, Gjilani jo vetëm që humbi, por edhe nuk tregoi ide në lojë,  munguan aksionet e ndërtuara, ritmi, intensiteti dhe qartësia në fazën sulmuese, duke u shfaqur me lojë të ngadaltë dhe të lexueshme për kundërshtarin.

 

Shpërndaj me të tjerët