Historia e njeriut që ringjalli Kosovatransin e Gjilanit
Një sfidë e madhe në mes të kaosit
Në fillim të viteve 1980, Gjilani kishte një ndërmarrje të madhe dhe të rëndësishme për qytetin: Kosovatransi. Me rreth 560 punëtorë, ajo përfshinte njësitë e saja si administratën, stacionin e autobusëve, servisin, parkingun dhe garazhet si dhe qendrat e Vitisë, Kamenicës, Bujanovcit dhe Preshevës.
Por nën sipërfaqen e numrave dhe godinave ekzistonte kaosi: mungesa e gomave, keqpërdorime të mëdha, linja të ndërprera dhe një klimë pa rregulla.
Në këtë moment të vështirë, një i ri 26-vjeçar, Jakup Vesel Berisha, i njohur më vonë si “Regani”, u thirr për të marrë drejtimin e ndërmarrjes.
Ishte një sfidë që do të përcaktonte jetën e tij dhe fatin e një ndërmarrjeje që të gjithë e mendonin të humbur.
Nga tekstili te drejtimi i ndërmarrjes
Jakupi kishte punuar si menaxher i sektorit komercial të fabrikës të tepihëve “Taftison” në kudër të kombinatit të tekstlit “INTEGJ” në Gjilan..
Në dhjetor të viti 1979 duke ekspozuar produktet e tekstilit në panairin ndërkombëtar të Lubjanës, ai merr një telefonatë e papritur se duhesh të kthehesh në Gjilan, sepse të kanë emëruar drejtor të ri në Kosovotrans, dhe puna e tij kërkonte veprim të menjëhershëm.
Strukturat politike të Komunës, dhe jo vetëm, vlerësojnë se ai mund ta nxjerr nga kolapsi ekonomik “Kosovatransin” dhe kërkuan të bëjë këtë, madje edhe duke i tejkaluar autorizimet dhe kompetenca e një drejtori sipas ligjit të vetëqeverisjes.
Ishin rreth 13.000 të punësuar në ekonominë e atëhershme dhe të administratës komunale, duhej të transportoheshin nga fshati në qytet dhe anasjelltas, për të arritur në vend e tyre të punës.
Po ashtu, nxënësit dhe studentët duhet të transportoheshin në shkollat e fakultete, duke qëndruar përherë të gatshëm për këtë punë.
Gjilani dhe gjithë Kosova përballeshin me një rrezik kolapsi, për shkak të mungesës së gomave, karburanteve dhe pjesëve të këmbimit.
Jakupi hezitoi. Ishte vetëm 26 vjeç dhe e ndiente peshën e përgjegjësisë mbi supet e tij.
Tre ditë i mendoi të gjitha: sfidën, rrezikun, jetën e tij, reputacionin. Por zemra dhe vendosmëria triumfuan.
Më 3 janar 1980, Jakupi mori zyrtarisht drejtimin e ndërmarrjes.
Rikthimi i rendit dhe disiplinës
Ditën e parë ai ftoi të gjithë bashkëpunëtorët e ndërmarrjes, ndërsa sekretar ishte Hysni Ramadani, babai i heroit kombëtar Agim Ramadani. Në takimin me 13 anëtarët e Këshillit Kolegjial dhe përfaqësuesit e Sindikatës dhe atij të Punëtorëve, Jakupi shpalli rregullin: për 30 ditë nuk do të merrte masa ndëshkuese, por pas kësaj çdo shkelje do të ndëshkohej pa mëshirë.
Problemet ishin të dukshme: mungesa e gomave kishte bllokuar linjat e autobusëve, pasagjerët mbeteshin pa shërbim, dhe paratë humbisnin në duart e shoferëve e konduktorëve.
Me kontaktet e tij nga Integji, ai siguroi 40 goma nga Serbia, duke rikthyer shërbimin e munguar dhe duke befasuar skeptikët, sidomos ata nga komuniteti serb brenda organizatës.

Jakup Berisha, i pakompromis dhe i drejtë deri në fund
Jakup Berisha njihej si një njeri i pakompromis , që kontrollon çdo detaj të punës. kalonte ditë të tëra pa u kthyer në shtëpi , duke inspektuar linjat e autobusëve dhe menaxhimin e ndërmarrjeve.
Ai nuk bën asnjë tolerim për shkeljet, qoftë nga shoferët, konduktorët apo administrata.
Gjatë drejtimit të tij, zbuloi keqpërdorime të mëdha : pasagjerë që udhëtonin pa bileta, para që mungon në arkë dhe punonjës që shkelin çdo rregull.
Por Jakupi e riktheu rendin dhe disiplinën , me një dorë të hekurt dhe të paanshme.
Një ngjarje e veçantë e dështuar më së miri karakterin e tij.
Në një linjë të rregullt transporti, një shofer shqiptar dhe një konduktor serb kishin marrë mbi 20 pasagjerë pa bileta, duke mbajtur paratë për vete. Jakupi, së bashku me një shofer tjetër, kishte dalë në kontroll dhe kishte ndalur autobusin.
Sapo vuri re se udhëtarët nuk kishin bileta, e urdhëroi shoferin të ndalonte në stacionin e parë dhe të mos hapte dyert për askënd.
Në atë kohë, çdo stacion kishte policë kujdestarë, ai u kërkoi atyre të merrnin shënime nga pasagjerët dhe të dokumentonin rastin e keqpërdorimit.
Të dy shoferi dhe konduktori ndalen në stacionin e policisë, kurse shoferi që shoqërohej nga Jakupi merr drejtimin e autobusit.
Pasi kthehet në Gjilan, ai urdhëroi sekretarin të përgatit vendimet për largim të të dy punonjësve, pa asnjë hezitim.
Rezultatet e këtij përkushtimi u panë brenda një viti: organizatat doli në fitim, madje sa gjysma e industrisë së Gjilanit në atë kohë, një sukses që askush nuk kishte menduar të mundshëm.
Falë rregullit, integritetit dhe angazhimit maksimal të Jakup Berishës, ky përmirësim u bë realitet dhe shembull i udhëheqjes së ndershme në Gjilan.

Nofka “Regan”, si erdhi?
Pas gjashtë apo shtatë muajsh, kujton Jakupi, mora nofkën “Regan”.
Në atë kohë, Ronald Reagan ishte kryetar i Amerikës, njeri i vendosur, i prerë dhe i drejtë.
Ndoshta pikërisht për këtë, nofka më qëndroi si e bërë për mua.
Një ditë më kishin ftuar në Komitetin e Lidhjes së Komunistëve në Gjilan. Aty ishin kryetari, nënsekretari dhe një përfaqësues i njohur i Sekretariatit të Punëve të Brendshme(SPB-së), (emrat janë të njohur për redaksinë e portalit).
Kryetari, shqiptar nga nacionaliteti, më fliste me fjalë të buta, sikur donte ta kalonte lehtë çështjen, por unë i thashë prerë:
“Thuaj drejt pse më keni thirrur, mos e rrotullo!”
Kur më treguan për çfarë ishte ankimi i një punëtori, e kuptova menjëherë. U përgjigja qetë, por prerë: “Pak ja kam bërë, por herën tjetër do ta largoj krejt nga puna.”
Në atë moment, nga qëndrimi im i drejtë dhe pa frikë, njëri prej të pranishmëve, punëtori i SPB-së, u ngrit në këmbë, më shikoi drejt e më tha me një lloj respekti e habie: “Ti nga sot, emrin e ke Regan!”
Dhe që nga ajo ditë, ky emër më mbeti.
Filluan të më thërrisnin “Regan” kudo, në stacionin e autobusëve, në rrugë, madje edhe udhëtarët më njihnin e më përshëndesnin kështu.
Nofka u bë pjesë e imja, një kujtim i atyre viteve, i atyre ditëve plot vendosmëri e karakter që nuk harrohen kurrë.
Rritja dhe modernizimi i ndërmarrjes
Nën drejtimin e tij, Kosovatransi u ringjall:Në vitin e parë blenë 5 autobusë të rinj; në vitin e dytë 11 autobusë; më pas çdo vit nga 10 autobusë të rinj.
Në 1987, u blenë dy autobusë Mercedes TAS Zagreb dhe 9 FAP, të gjithë me klima të brendshme, duke u bërë simbol i modernitetit dhe profesionalizmit.
Në 1988, u hap linja e parë ndërkombëtare për Zvicër, duke shënuar një epokë të re për transportin kosovar.

Burgosja dhe sfida e madhe
Por suksesi i tij nuk ishte i pakontestuar. Më 28 mars 1989, Jakupi u burgos gjatë aksionit të represionit serb ndaj intelektualëve shqiptarë. Ku për një ditë ishin burgosur 232 intelektualë shqiptar në tërë Kosovën
U dërgua në Prishtinë, Vranjë dhe Zajeçar, ku u maltretua fizikisht dhe psikikisht për 163 ditë.
Pas lirimit, ai përballet me pengesa të reja: sigurimi i ndalon kthimin në Kosovatrans.
Megjithatë, Jakupi padit ndërmarrjen dhe fiton çdo herë në gjykata, duke mbajtur dinjitetin e tij dhe të drejtën për të vazhduar veprimtarinë profesionale.
Por që asnjëherë nuk ia ekzekutuan vendimin drejtuesit e Kosovatransit, tashmë që ishin me masa të dhunshme dhe që kishin dëbuar nga puna të gjithë shqiptarët.
Biznesi privat dhe paslufta
Në vitin 1990, kur ndërmarrja u riemërtua “Kosmetprevoz” nën pushtetin serb, Jakupi themeloi biznesin privat “Merkatori”, duke hapur pika tregtare dhe njësi prodhimi.
Pas çlirimit më 16 qershor 1999, ai ishte ndër të parët që vendosi flamurin kombëtar në ndërmarrje, duke rikthyer shërbimet e transportit dhe duke i dhënë qytetit një simbol të lirisë dhe shpresës.
Trashëgimia e sotme
Jakup “Regani” Berisha sot drejton “Merkatori Transport”, me nëntë autobusë të rregullt, ndërsa stacioni i autobusëve i Gjilanit funksionon si Ndërmarrje Publike Lokale, duke ruajtur trashëgiminë e punës, disiplinës dhe përkushtimit që e transformoi një ndërmarrje të humbur në një histori suksesi për të gjithë qytetin.
Sot stacioni i autobusëve është një Nderrmarja Publike Lokale me emrin “Stacioni i Autobusëve” Sh.A Gjilan me titullar Komuna e Gjilanit.
Në anën tjetër ka nisur ndërtimi i ri i stacionit të autobusëve dhe është në ndërtim e sipër.
Njeriu, lideri dhe simboli
Jakup Berisha nuk ishte vetëm një drejtor i fortë. Ai ishte një njeri me vizion, një lider që sfidoi rrethanat, një figurë që ringjalli shpresën dhe rendin në mes të kaosit.
Historitë e tij, nga përballja me keqpërdorimet, burgosja e padrejtë, tek krijimi i një biznesi të suksesshëm, tregojnë për një karakter të palëkundur dhe vendosmëri të rrallë.
Si simbol i profesionalizmit shqiptar, Jakup Berisha la një trashëgimi që tejkalon kohën dhe gjeneratat.
Për qytetin e Gjilanit, ai mbetet një model frymëzimi, një dëshmi se edhe në rrethanat më të vështira, dashuria për punën, vendosmëria dhe integriteti mund të ndërtojnë histori suksesi që nuk harrohen kurrë.
