Kamenica bëhet qendër e matematikës, mbahet edicioni i parë i Kupës së Anamoravës.
Të shtunën, më 6 qershor, në Kamenicë do të organizohet për herë të parë Olimpiada Rajonale e Matematikës – “Kupa e Anamoravës 2026”, një ngjarje që synon promovimin e dijes, mendimit kritik dhe talentit në matematikë.
Aktiviteti organizohet nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikanëve të Gjilanit dhe do të mbledhë nxënës të dalluar nga Kamenica, Gjilani, Vitia, Novobërda, Presheva, Bujanoci, Kumanova dhe Shkupi.
Garat do të nisin në orën 10:00, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet nga ora 15:30.
Kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, Bregan Isufi, falënderoi zëvendësministrin e Arsimit, Përparim Kryeziu, kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, si dhe drejtorin e DKA-së, Selami Klaiqi, për mbështetjen në organizimin e këtij aktiviteti rajonal.
“Kupa e Anamoravës 2026” pritet të shndërrohet në një ngjarje tradicionale që do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunave dhe do të promovojë ekselencën në matematikë.

