ARSIM / UKZ nis procedurat për program të përbashkët Master me Universitetin Sapienza të Romës

Universiteti Publik Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka mbajtur takimin fillestar për nisjen e Projektit SHER JDD – Faza e Dytë, i cili synon themelimin e një programi të përbashkët ndërkombëtar Master në bashkëpunim me Universiteti Sapienza i Romës.

Programi i ri, me titull “Master i Shkencave në Paqen Globale – Hartimi i Politikave për Diversitet, Pluralizëm dhe Barazi në një Botë Polikrize”, realizohet në kuadër të programit SHER – Arsim i Lartë dhe Kërkim i Qëndrueshëm në Kosovë, i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve partnere, akademikë, studentë dhe përfaqësues të programit SHER, ku u prezantuan objektivat dhe aktivitetet e fazës së dytë të projektit.

Koordinatori i projektit, Dukagjin Leka, theksoi se ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të studimeve në UKZ dhe forcimit të lidhjeve akademike me universitetet evropiane.

Sipas tij, programi dyvjeçar do të trajtojë tema si paqja globale, diversiteti, pluralizmi, barazia gjinore dhe sfidat sociale në një botë të karakterizuar nga kriza të shumta, duke u ofruar studentëve njohuri të avancuara dhe mundësi të reja akademike.

Nga ana tjetër, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Selim Daku, vlerësoi rëndësinë e programit për zhvillimin e studimeve në fushën e paqes, politikave publike, diversitetit dhe barazisë.

Gjatë aktivitetit u ndanë edhe certifikata mirënjohjeje për donatorët dhe partnerët që kontribuuan në realizimin e vizitës studimore të studentëve të UKZ-së në institucionet evropiane në Strasburg të Francës.

Shpërndaj me të tjerët